Δευτέρα 12 Αυγούστου 2013

Ligji për TVSH-në, përjashtohet shëndetësia dhe arsimi

Miratohet TVSH-ja e diferencuar 10-20 %. Përjashtohen nga detyrimet shërbimet në spitale dhe pajisjet spitaloreLigji pret votat e maxhorancës së re.  Ndryshojnë 160 nene në ligjin për TVSH-në, merren në konsideratë propozimet e PS-së.
Qeveria në ikje miraton Tatimin mbli Vlerën e Shtuar në mënyrë të përshkallëzuar. Ky ishte një ndër propozimet e Partisë Socialiste, i  cili është marrë në konsideratë gjatë hartimit të ligjit të ri për TVSH-në ku janë hartuar 160 nene, në të cilat është përcaktuar jo vetëm mënyra e pagesës dhe rimburisimit të TVSH-së por edhe përshkallëzimi i saj. Në draftin e hartuar nga Ministria e Financave dhe të miratuar në qeveri mësohet se  shkalla  e reduktuar e TVSH-së, e cila aplikohet si një përqindje e vlerës së tatueshme, është 10 %, e cila do të aplikohet për furnizimet e barnave për trajtime mjekësore dhe veterinare. Shuma e TVSH-së, që rezulton nga aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së, lejon normalisht zbritjen e plotë të TVSH-së, për të cilën njihet e drejta e zbritjes.

Përjashtohen nga TVSH 

Janë furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja operacionet me interes të përgjithshëm, si furnizimi i shërbimit postar dhe i mallrave aksesore në furnizimin e këtij shërbimi, që janë në përputhje me shërbimin universal postar të kryer nga shërbimi publik postar në Shqipëri, përveç transportit të personave dhe telekomunikacioneve. gjithashtu janë përjashtuar nga detyrimi për Tatimin mbi Vlerën ë Shtuar furnizimi i shërbimeve shëndetësore dhe operacioneve të lidhura ngushtë me to, me karakter terapeutik si dhe të domosdoshme për arritjen e qëllimeve terapeutike të synuara nga hospitalizimi dhe kujdesi mjekësor ndaj shtetasve, të kryera nga institucionet shëndetësore publike ose private të njohura si të tilla nga autoriteti kompetent shëndetësor, ku përfshihen: furnizimi i shërbimeve të kujdesit spitalor; kujdesit shëndetësor parësor, shërbimi i urgjencës mjekësore, ekzaminimet mjekësore terapeutike të siguruara nga ana e institucioneve spitalore, qendrat e kujdesit shëndetësor dhe diagnostikimit; shërbimet e analizave mjekësore, kimike për diagnostikim, analizat mjekësore parandaluese në kuadër të kujdesit mjekësor.

TVSH-ja për Spitalet 

Në ligjin  ri të miratuar në qeveri, por që duhet të miratohet në parlamentin e ardhëshëm është parashikuar përjashtimi nga TVSH-ja për institucionet shëndetësore private do të zbatohet vetëm nëse ato i furnizojnë këto shërbime në kushte sociale të njëjta me ato që ekzistojnë për institucionet shëndetësore publike. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim kriteret dhe procedurat për kushtet sociale të njëjta për institucionet shëndetësore private. Gjithashtu janë përjashtuar furnizimet e shërbimeve shëndetësore të ofruara për qëllime të kujdesit për shëndetin, në kuadër të ushtrimit të profesionit mjekësor ose paramjekësor të njohur si të tillë, dhe të licencuara nga autoriteti kompetent shëndetësor i Republikës së Shqipërisë dhe furnizimi i organeve, gjakut dhe qumështit njerëzor.  Në listën e shërbimeve të përjashtuara nga TVSH-ja është edhe furnizimi i shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me ndihmën dhe asistencën sociale, përfshirë operacionet që kryejnë shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, të kryera nga institucione publike apo nga organizma  jofitimprurës me karakter social të njohur nga autoriteti kompetent në Shqipëri dhe me çmime të aprovuara nga ky autoritet ose kur këto çmime nuk janë të aprovuara ato nuk duhet të jenë mbi 70% të çmimeve të operacioneve të ngjashme të ofruara nga  subjekte tregtare të tatueshme me TVSH dhe furnizimi i shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura  me mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rinjve, të kryera nga institucione publike apo nga organizma jofitimprurës.

Mjetet mësimore 

Është përjashtuar nga TVSH-ja furnizimi i shërbimeve arsimore të mësimdhënies shkollore apo universitare nga institucionet arsimore, publike dhe private, në përputhje me legjislacionin e fushës në fuqi, përfshirë formimin e vazhdueshëm profesional, si dhe furnizimin e shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me to dhe furnizimi i shërbimeve të mësimdhënies shkollore apo universitare të kryera nga ana e mësuesve, në emër personal.  Janë përjashtuar nga ky detyrim edhe furnizimi i shërbimeve të kryera nga institucionet fetare apo filozofike si dhe furnizimi i shërbimit të vënies në dispozicion të personelit.
Rimbursimi i TVSH-së
1. Një person i tatueshëm kërkon rimbursim të tepricës së kreditimit tatimor kur: personi i tatueshëm ka mbartur një shumë të kreditimit tatimor për 3 muaj radhazi dhe rimbursimi i kërkuar tejkalon shumën prej 400 000 lekë.
2. Për rastet kur në marrëveshjet financiare të ratifikuara nga Kuvendi ose në marrëveshjet e granteve të miratuara nga Këshilli i Ministrave parashikohet mospërdorimi i burimeve financiare të huaja për të paguar taksa e tatime, tatimi mbi vlerën e shtuar i paguar u rimbursohet financuesve të huaj nga administrata tatimore brenda 45 ditëve.
3. Eksportuesit kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim kur teprica e tyre tejkalon shumën 400 000 lekë. Organet tatimore bëjnë rimbursimin e tepricës kreditore të TVSH-së për këtë kategori tatimpaguesish, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
4. Administrata tatimore, para se të bëjë një rimbursim të kreditimit tatimor për një person të tatueshëm, ka të drejtë ta detyrojë atë person të paraqesë një garanci për pagesën e ardhshme të TVSH-së prej tij.
5.  Tatimi mbi vlerën e shtuar për importimin e materialeve ushtarake për Forcat e Armatosura, të dhuruara nga vendet anëtare të Aleancës së NATO-s apo partnerët, paguhet si kosto  lokale nga Ministria e Mbrojtjes.
6. Trajtohen si furnizime me shkallë 0% të TVSH-së furnizimi i shërbimeve  nga ndërmjetësit që veprojnë në emër dhe për llogari të të tretëve
7.  Trajtohet si furnizim me shkallën e TVSH-së 0% furnizimi i arit, i destinuar për Bankën e Shqipërisë. Për të siguruar trajtimin me shkallën tatimore 0% të TVSH-së, ministri i Financave ia përcakton me udhëzim procedurën specifike ose të rimbursimit të TVSH-së Bankës se Shqipërisë.

Burimi: (shekulli.com.al)

Κυριακή 11 Αυγούστου 2013

CEZ nis ndërprerjen, borxhi i institucioneve 65 milionë dollarë

CEZ nis ndërprerjen, borxhi i institucioneve 65 milionë dollarë- CEZ Shpërndarje ka nisur ndërprerjen e energjisë elektrike për institucionet buxhetore dhe jobuxhetore debitore ndaj kompanisë, pas paralajmërimit të bërë një javë më parë. Së bashku me këtë proces ka ardhur e zbardhur edhe lista e borxhlinjve të kompanisë së shpërndarjes, ku rekord mban Albpetroli. Në total detyrimi i kompanisë së prodhimit dhe nxjerrjes së naftës në vend arrin plot 652 milionë lekë. Më pas vijnë Ujësjellësi i Durrësit dhe ai i Vlorës, me respektivisht 468 milionë lekë dhe 395 milionë lekë debi dhe princiapal së bashku. Për ujësjellësit kompania ka bërë ndërprerjen e energjisë vetëm në zyrat administrative, dhe jo për pjesën që lidhet me furnizimin me ujë të qytetarëve. Në total, gjithë borxhi i institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore arrin 65 milionë dollarë.
Në një njoftim për shtyp, kompania e shpërndarjes bën me dije se institucioneve që iu është ndërprerë energjia nuk do të kenë furnizim deri në momentin që nuk shlyejnë detyrimin.
“CEZ Shpërndarje shpreh vendosmërinë për të mos furnizuar me energji elektrike asnjë nga institucionet debitore derisa ata të paguajnë detyrimet e tyre. CEZ Shpërndarje garanton qytetarët se kjo kompani do të trajtojë me të njëjtin standard abonentët privatë dhe shtetërorë, duke furnizuar me energji ata që paguajnë energjinë dhe duke prerë çdo lidhje për ata që nuk paguajnë energjinë”, thuhet në njoftimin e CEZ-it. Nga detajimi i borxhit dhe institucioneve rezulton që shuma prej 65 milionë dollarësh është e akumuluar që nga vitit 2007.

Burimi: (panorama.com.al)

Çështja e pronësisë “ngrin” tregun

BB: Çështja e pronësisë “ngrin” tregun. Raporti i Bankës Botërore: Projekti LAMP, janë regjistruar 88.5 mijë pasuri nga 400 mijë në total.
Shitja e pasurive të paluajtshme, peng i problemeve të tokës.
Tregu i pasurive të paluajtshme është peng i problemeve të pronësisë, dhe pikërisht në këtë drejtim duhet të ecin edhe reformat e qeverisë. Në raportin e Bankës Botërore, ku përmblidhet aktiviteti i projekteve të saj në vendin tonë, deri në qershor të këtij viti pjesa e pronësisë është ajo ku vihet theksi. Për Bankën Botërore, një sistem sa më i saktë, ku e drejta e pronësisë është e garantuar, është siguri për më shumë investime vendase, por edhe të huaja. “Sigurimi i të drejtës së pronësisë së bahsku me një regjim transparent të menaxhimit, janë themelore në mirëfunksionimin e tregjeve të tokës dhe pasurive të paluajtshme. Këto sigurojnë edhe më shumë investime nga biznese lokale dhe ndërkombëtare, si dhe nxitin investimin e qytetarëve në pasuri të paluajtshme”, thuhet në raport.
PUSHTETI VENDOR
Një administrim sa më i mirë i pronësisë dhe krijimi i një database të saktë, sipas Bankës Botërore, krijon më shumë mundësi edhe për pushtetin vendor në krijimin e autonomisë së tij si efekt edhe i menaxhimit të taksës së tokës. “Të dhëna të sakta mbi tokën dhe të drejtat mbi të ndërtojnë, pa dyshim, kushtet për një decentralizim fiskal dhe autonomi të bashkive, që është rrjedhojë e të ardhurave nga taksa mbi pronën. Projekti LAPM synon që të bashkojë reformën në sistemin e pronësisë dhe forcimin e planifikimit urban së bashku me investimet e bashkive”, thuhet në raportin e Bankës. 
PROJEKTI
Projekti i administrimit dhe menaxhimit të tokës, LAMP, është duke vëzhguar dhe regjistruar 400 mijë prona në zonat urbane, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve që të kenë siguri mbi pronën e tyre. Sipas Bankës, katër qytete janë mbështetur me programe investimi në bashki për të rinovuar shërbimet themelore të infrastrukturës urbane. Deri më tani nën komponentin A të projektit, sipas raportit, është bërë i mundur regjistrimi i 85 500 titujve pronësie. Po kështu është bërë edhe dixhitalizimi i të dhënave të pronësisë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe masat kanë ulur kohën e regjistrimit nga 47 ditë në 10 ditë. Projekti është aprovuar në vitin 2007, u bë efektiv në korrik të po të njëjtit vit dhe u ristrukturua në janar 2011. Mbyllja e tij është planifikuar në qershor të vitit të ardhshëm. Kostoja e gjithë projektit është 41.2 milionë dollarë, nga të cilat pjesën më të madhe e ka dhënë IBRD, gati 20 milionë dollarë. Deri në mars 2013 janë disbursuar gjithsej 19.6 milionë dollarë dhe mbeten akoma të padisbursuara edhe 16 milionë dollarë.

Burimi: (panorama.com.al)

“Gati fillimi i tregut të përbashkët”

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, nuk ka hequr dorë nga ideja për krijimin e një tregu të përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Në një intervistë për “Epoka e Re”, ai ka thënë se shumë shpejtë këtë ide do ta prezantojë edhe para kabinetit qeveritar, në mënyrë që të fillojë implementimi i këtij projekti.
Pacolli ka thënë se për t’u realizuar kjo ide, e ka marrë edhe mbështetjen e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe të kryeministrit në ardhje të Shqipërisë, Edi Rama.
“Dy qeveritë, kjo e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, duhet të bashkëpunojnë mes vete. Jemi një komb i vogël për të pasur ndarje”, ka thënë Pacolli.

Kosovë, të shtëna në Mitrovicë

Të shtëna me armë automatike, që kanë zgjatur për disa minuta, janë dëgjuar mbrëmë menjëherë pas mesnate afër cepit verior të urës kryesore mbi Ibër, bëjnë të ditur burime të “Kosovapress”-it. 

Sipas të njëjtave burime, rreth orës 1:10 pas mesnate është dëgjuar sërish një shpërthim i fuqishëm në veri të Mitrovicës, por që nuk dihen autorët dhe as lokacioni i saktë i këtij shpërthimi.

“Njësia e karabinierëve ka njoftuar se mjeti shpërthyes është hedhur në lumin Ibër dhe nuk ka të lënduar në njerëz”, kanë thënë burime të “Kosovapress”-it.

Ndërkaq, mësohet se pjesëtarë të policisë së Kosovës të stacionit veri kanë patrulluar të gjitha rrugët që lidhen me urën kryesore, por nuk kanë gjetur asgjë.

Burimi: (top-channel.tv)

Çështja e telekomit

Serbia ende nuk ka dhënë përgjigje nëse do ta pranojë ose jo draft marrëveshjen e ofruar nga BE-ja për telekomin, ndonëse afati i fundit për të dhënë përgjigje ka kaluar qysh të premten. 

Qeveria e Kosovës ende mbetet në pritje të konfirmimit zyrtar nga ana e BE-së, si ndërmjetësuese e dialogut, nëse do ta pranojë Serbia marrëveshjen apo do ta refuzojë. Por, çfarë ofron draft-marrëveshja e ofruar nga ndërmjetësuesi, Bashkimi Europian?
Dren Zeka, këshilltar i zëvendëskryeministres Edita Tahiri, që drejton palën kosovare në këto bisedime, ka thënë për “Top-Channel” nëpërmjet përgjigjeve të shkruara se “sipas draft marrëveshjes Kosova pritet të marrë kodin unik shtetëror ndërkombëtar telefonik dhe njëkohësisht pritet edhe normalizim i gjendjes në fushën e telekomunikacionit dhe se kjo marrëveshje është e favorshme për Kosovën”.

Përveç kësaj, Zeka ka bërë të ditur se “parashihet një zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë, por jo siç është raportuar në media se gjoja operatori i Serbisë do të ofrojë shërbime për lokalitetet e banuara me serbë”. I pyetur se çfarë konkretisht parashihet si zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë, Zeka ka dhënë përgjigjen se bëhet fjalë për “zgjidhje për një operator të limituar në hapësirë dhe në kohë të përkohshme për komunitetin serb në Kosovë, por që do të jetë i themeluar, i regjistruar dhe i licencuar në Republikën e Kosovës dhe do të operojë sipas ligjeve dhe kornizës rregullative të Kosovës”.

Sipas marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, Kosova pritet të marrë kodin ndërkombëtar telefonik +383, për të cilin në vjeshtë do të aplikojë një shtet anëtar i BE-së, Suedia ose Austria.

Kosova, në mungesë të kodit të vet, vazhdon të shfrytëzojë 3 kode të huaja telefonike, të Serbisë, Monakos dhe Sllovenisë.

Tentativë vetëvrasjeje në aeroport


Aeroporti i Prishtinës, “Adem Jashari”, mbeti i bllokuar për 30 minuta mëngjesin e së premtes. Shkak për këtë bllokim u bë një tentativë për vetevrasje.Sipas njoftimeve të policisë, në vendin e dorëzimit të bagazhit, në orën 09:05, një qytetar i vuri thikën vetes në fyt, duke kërcënuar me vetëvrasje.

Pas negociatave me policinë dhe përdorimit të forcës u bë e mundur çarmatosja dhe arrestimi i personit në fjalë, njoftojnë burimet policore.

Por pak minuta pas arrestimit, të njëjtin veprim bëri edhe vëllai i tij, i cili, sipas zyrtarit për informim në Policinë e Kosovës, ishte edhe më agresiv.

Të dy vëllezërit, të lindur në vitet 1977 dhe 1975, pas vizitës mjekësore nga ekipi i mjekëve të aeroportit u dërguan në stacionin policor të Lipjanit

Prej andej u njoftua dhe prokurori i qarkut, i cili do të kryej një hetim. Ende nuk dihet shkaku i tentativës së tyre për vetëvrasje.

Të lindurit në Greqi kalojnë kufirin

Me një urdhër të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, i shpërndarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Shqipërinë, lejohet kalimi i të gjithë fëmijeve shqiptarë, pavarësisht problemit me toponimet në pasaportat e tyre, deri më datë 5 shtator.

Vendimi i Ministrisë së Jashtme është konfirmuar për Top Channel nga Ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi, i cili ka konfirmuar se mesditën e së shtunës në ambientet e Ambasadës Shqiptare në Athinë ka mbërritur urdhëri i Ministrisë së Jashtme greke.

Dervishi shtoi se kjo shkresë u është shpërndarë dhe Konsullatave Greke në Shqipëri, duke mundësuar në këtë mënyrë lejimin e kalimit të paktën për 25 ditët e ardhshme deri në zgjidhjen përfundimtare.

Ndërkaq, pretendimet e ngritura, tashmë prej më shumë se një viti nga pala greke se ajo kërkon përdorimin e toponimeve në pasaporta, sipas rregullave të Kombeve të Bashkuara, hidhen poshtë nga vetë kjo organizatë.

E kontaktuar nga Top Channel nëpërmjet e-mailit, zyra e Zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mon, ka pohuar se asnjë traktat apo ligj i Kombeve të Bashkuara nuk parashikon një gjë të tillë.
 Sipas përgjegjëses së zyrës, Morana Song, një çështje e tillë  zgjidhet nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe, duke përjashtuar përfshirjen e OKB-së në këtë çështje.

“Zyra e Çështjeve Ligjore në Kombet e Bashkuara deklaron se kjo është një çështje e ligjeve kombëtare të dy vendeve apo  marrëveshjeve rajonale, që përfshijnë të dy shtetet. Konventat mbi marrëdhëniet konsullore nuk përmbajnë ndonjë dispozitë lidhur me çështjen e ngritur. Për këtë arsye, duke iu referuar traktateve dhe konventave të Kombeve të Bashkuara, çështja që ju keni ngritur, nuk parashikohet prej tyre”, thuhet në përgjigjen e OKB-së.

Prej më shumë se një viti Athina ka ndaluar kalimin në kufi të fëmijëve të emigrantëve shqiptar, të lindur në Greqi, ndërsa ka dhënë leje të përkohëshme herë pas here në rast festash apo siç ishin zgjedhjet e 23 qershorit.

Çeshtja e toponimeve ishte pjesë e bisedës edhe në takimet që kryeministri i ardhshëm Edi Rama pati gjatë vizitës së tij në Athinë me homologun Samaras dhe Ministrin e Jashtëm, Venizellos. 


Burimi: ( top-channel.tv)

Falsifikimet e rralla e me fantazi

Një pasaportë botërore e falsifikuar në Shqiperi dhe e bllokuar në një pikë kufitare. Nje pasaportë të tillë mund ta shpikë vetëm mendja e një falsifikatori, pasi pasaporta botërore nuk ekziston, ka vetem pasaporta shtetesh, shërbimi dhe diplomatike.

Të tilla falsifikime me fantazi nuk kanë munguar në vendin tonë.

“Kemi dokumente të sajuara me fantazi. Kemi pasaportë me emrin Rodezi, e lëshuar nga shteti i Rodezisë, ndërkohë që nuk ka më shtet me emrin Rodezi, por sot kemi Zimbabven. Apo kemi pasaportë e lëshuar nga Republika e Satanait. Një rast i tillë është një pasaportë botërore që quhet e cila nuk është dokument identifikimi. Pra është një dokument i prodhuar me fantazi. Ky është një prej dhjetra rasteve të cilat ne i kemi gjetur në zyrën tonë. Janë ndalur personat që kanë zotëruar këto dokumente në pikat kufitare dhe kanë ardhur për ekzaminim në institucionin tonë”, thotë Viktor Hajdari, shef i Sektorit në Laboratorin Kriminalistik.

Viktima të falsifikimeve kanë rënë edhe zyrtarë të lartë të cilëve u është kopjuar firma.

“Duke patur një eksperiencë të gjatë në këtë punë kam patur raste që nga majat më të larta shtetërore deri tek njerëzit më të thjeshtë. Që nga piramida e shtetit e deri tek qytetari më i thjeshtë. Ne kemi ekzaminuar këtu falsifikim firme të Kryeministrit të Shqipërisë, kryetar bashkie, komune, kryetar gjykate, drejtorë policie etj”, thotë zoti Hajdari.

Për zotin Hajdari shteti duhet të rrisë elementët e sigurisë në dokumentat zyrtare.

“Unë sugjeroj që dokumentat e rëndësishme shtetërore duhet të implementojnë elementë sigurie në shkresat që prodhojnë. Psh, një dokument i dalë prej Kryeministrisë nuk mund të dalë me një fletë formati A4 të thjeshtë që shitet në treg, por duhet të dalë me një fletë formati A4 që duhet të ketë më së paku një element sigurie, që është filigrana”, deklaron ai. 


Burimi: ( top-channel.tv)

Gjirokastër, aksident me pasojë vdekjes

Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor ka shënuar aksidentin e radhës me pasoje vdekjen e një qytetari.

Policia e Qarkut Gjirokastër, nëpërmjet një komunikate për median thotë se mëngjesin e sotem, në aksin rrugor Gjirokastër- Jergucat, në vendin e qaujtur Grapsh  ka ndodhur një aksident me pasojë vdekje.

Automjeti tip “Honda”, me targa greke KPB 8601, që drejtohej nga Jani Dushi ka goditur shtetasin Aleksandër Polo.

Viktima vinte nga Athina dhe në momentin kur ai  ka zbritur  nga autobuzi i linjës Athinë –Tiranë,  duke tentuar  të kalojë në krahun tjetër të rrugës është goditur nga automjetit i drejtuar nga Jani Dushi, i cili është shoqëruar në ambientet e Komisariatit ku dhe është bërë arrestimi i tij për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.


Burimi: (top-channel.tv)

Σάββατο 10 Αυγούστου 2013

Sot Fitër Bajrami, Nishani, Rama e Berisha urojnë shqiptarët: Mbarësi për familjet tuaja!

TIRANE- Besimtaret Myslimane pas plot 1 muaji agjërim festojnë sot festën e Fitër Bajramit. Kjo ditë për besimtarët myslimanë është një ditë feste dhe paqeje, e cila mëshiron virtytet më të larta, ndërsa besimtarët i shprehin lavde dhe mirënjohje Allahut.

Ceremonia e faljes së Bajramit u bë si çdo vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin përpara ish- Hotel Dajti në orën 06:23. Gjithë sipërfaqja e faljes ishte e shtruar me material të përshtatshëm duke shmangur kështu sendet e panevojshme që marrin besimtarët, të cilat shkaktojnë ndotje të ambinetit.
Kreu i Komuniteit Mysliman, Haxhi Selim Muca ka uruar gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për sa më shumë paqe dhe harmoni mes njeri-tjetrit. Ai e cilësoi këtë muaj të shenjtë si “muaji i agjërimit, mëshirës, lutjeve; muaji i shpalljes së Kuranit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe mëshira hyjnore”.
Urime drejtuar besimtarëve myslimanë kanë ardhur nga kreu i shtetit, Bujar Nishani, kryeministri i zgjedhur Edi Rama dhe ai në ikje Sali Berisha.
RAMA: MBARËSIA I PRIFTË FAMILJET TUAJA
Kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Festën e Fitër Bajramit.
“Të gjithë besimtarëve myslimanë u uroj gëzuar Festën e Bajramit të Madh dhe mbarësia i priftë familjeve tuaja”, shkruan Rama në mesazhin e tij.
BERISHA: GËZUAR BAJRAMIN, FESTËN E MËSHIRËS SË KRIJUESIT DHE SAKRIFICËS SONË!
Kryeministri në detyrë Sali Berisha ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Festën e Kurban Bajramit. Ai ka uruar shëndet, mbarësi dhe paqe për të gjithë shqiptarët.
“Të dashur miq, sot besimtarët myslimanë shqiptarë, pas një muaji përkushtimi dhe sakrifice për Krijuesin, festojnë Fiter Bajramin si festën e mëshirës së Zotit ndaj nesh dhe devotshmërisë tonë ndaj Atij. Nëpërmjet sakrificave të këtij muaji njerëzit përjetojnë më pranë vuajtjet e atyre që kanë mundësi më të pakta por njëkohësisht përjetojnë premtimin e Zotit që pas vështirësisë, sakrificës e cila qendron në themel të çdo arritje të njeriut, vjen lehtësimi, shpërblimi. Ndaj le të urojmë ne nga zemra që kjo ditë e shenjtë të sjellë shëndet, mbarësi, paqe, begati për të gjithë shqiptarët”, përfundon mesazhi i tij.
PRESIDENTI NISHANI URON SHQIPTARËT: TË MPOSHTIM KULTURËN E URREJTSHME TË SHERRIT!
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi të shpërndarë për mediat ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për Festën e Bajramit.
Ndërsa e quan Bajramin një festë të shenjtë, Nishani shton se ajo shërben për të na bërë më të mirë për veten, për tjetrin dhe për shoqërinë.
“Të dashur myslimanë shqiptarë kudo ku ndodheni! Ju uroj nga zemra Gëzuar Bajramin, festën më të madhe dhe më të bukur të myslimanëve, festën Tuaj, festën time, festën e të gjithëve, atë festë gjatë së cilës gëzohen pa dallim, i madh e i vogël, burra e gra, të varfër e të pasur, të gjithë nën shenjën e bashkimit dhe besimit të pafundëm dhe të pakushtëzuar ndaj Zotit. Gëzuar pra këtë festë të shenjtë, e cila, pas sakrificës sjell shplodhjen, pas hezitimit bindjen, pas dobësisë forcimin, pas vuajtjes Besimin. Nga një Ramazan në tjetrin Ramazan, pra nga një sakrifikim në tjetrin, nga një Bajram në tjetrin Bajram, pra nga një festë në tjetrën festë, provojmë dhe dëshmojmë efektivisht besimin ndaj Zotit. Dhe Zoti çdo herë na shpërblen. Duke na bërë më të mirë; për veten, për tjetrin, për shoqërinë. Duke na bërë më të fortë fizikisht, më të kthjellët mendërisht, më të gatshëm për sfida të tjera edhe më të vështira, që i ka jeta, i ka ekzistenca.Jo dëshpërim, jo lëndim, jo brenga.
Vetëm gëzim, lumturi dhe begati, dhe bekimin e Zotit, dashurinë e Zotit, ndihmën e Zotit, paqe, dhe urtësi sjelltë për të gjithë Ju kjo ditë, ky Bajram”, thuhet në mesazhin e Presidentit.
Nishani apeloi më tej se festa të tilla duhet të na shërbejnë për ta parë botën me sy të tjerë, duke mposhtur kulturën e urrejtjes.
“Le të na bëjë ky Bajram ta shohim botën dhe jetën me sytë e të dobtëve dhe të varfërve.
Le ta mposhtim me mjete paqësore, me sakrifica si Ramazani dhe festa si Bajrami, kulturën e urrejtshme të sherrit, këtë rudiment të rrezikshëm trashëguar nga e kaluara diktatoriale. Nga thellësia e zemrës, ju uroj gjithë të mirat në këtë ditë të madhe. Le të jetë Dita e Bajramit një ditë e lumtur. Gëzojeni këtë ditë bashkë me të dashurit Tuaj. Ngushëllohuni bashkërisht. Ndihmohuni bashkërisht. Këshillohuni bashkërisht. Gëzohuni bashkërisht në këtë ditë Bajrami”, përfundon mesazhi i tij.
KREU I KMSH, HAXHI SELIM MUÇA URON SHQIPTARËT PËR FITËR BAJRAM
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, ka uruar besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët për festën e Fitër Bajramit. Ceremonia e faljes së Bajramit do të bëhet si çdo vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin përpara ish- Hotel Dajti në orën 06:23.
Në përshëndetjen e tij drejtuar besimtarëve myslimanë Kryetari i KMSH thekson se, “tashmë po dalim nga muaji më i dashur dhe miku më i njohur ndër myslimanët – Ramazani, muaji i agjërimit, mëshirës, lutjeve; muaji i shpalljes së Kuranit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe mëshira hyjnore. Nesër është Bajram dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo qofshin, gëzuar Fitër Bajramin. Paqe, lumturi dhe harmoni sjelltë në familjet tuaja.
Bajrami është festa më e dobishme dhe më e bekuar për myslimanët. Zoti thotë: “Për mua agjëruat në muajin e Ramazanit dhe sipas urdhërit tim falët namazin e bajramit. Kthehuni tani në shtëpitë tuaja të pastruar nga gjynahet e të falur.
Urimet dhe vizitat e Bajramit janë tradita të vyera të popullit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Veprimi më i dashur për Allahun pas kryerjes së obligimeve, është kur një mysliman e gëzon vëllain e tij. Nisur nga kjo, le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.
U uroj edhe njëherë besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve, ta gëzojnë këtë festë me familjen, farefisin, fqinjët dhe gjithë shoqërinë. Zoti ju dhëntë mirësi e begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet që keni kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit”.

Burimi: (balkanweb.com)

Masakra në Vlorë, shpërblimi josh qytetarët, ‘bum’ telefonatash për foton e autorit

VLORE - Dhjetëra telefonata mbërrijnë çdo ditë në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, por jo për të denoncuar akte kriminale apo persona. Qytetarë të shumtë, kërkojnë që Policia e Vlorës të afishojë fotografinë e autorit të dyshuar të masakrës së ndodhur në plazh më 28 korrik. Kjo pas shpërblimit prej 10 mijë dollarësh që Policia e Vlorës ka vënë në dispozicion të çdo qytetari që jep informacion të vlefshëm për 22-vjeçarin Delin Hajdaraj. Por pavarësisht kërkesave, drejtues të Policisë së Qarkut Vlorë përgjigjen se publikimi i fotos së 22-vjeçarit është i pamundur. Kjo pasi vihet në rrezik gjithë hetimi për masakrën e ndodhur në plazhin e njohur si “Kalaja”, ku mbetën të vrarë tre pushues të pafajshëm. 17-vjeçari Serdi Bajlozi, 34-vjeçari Sokol Isufaj dhe 53-vjeçarja Diana Ademi u vranë me plumba rikoshet pas një sherri mes të rinjsh.

REAGIMI


Kërkesës së qytetarëve të shumtë për publikimin e fotos së njeriut më të kërkuar momentalisht në të gjithë jugun e Shqipërisë, për vrasje të trefishtë, Policia e Vlorës i është përgjigjur me një ‘JO’ të madhe. Me arsyetimin se rrezikohet e gjithë kjo çështje. Sipas drejtuesve të policisë, pavarësisht se në këto momente fotoja e 22-vjeçarit Delin Hajdaraj ndodhet në xhepat e të gjithë efektivëve, ajo nuk mund të publikohet pasi më parë do të bëhet paraqitja për njohje me dëshmitarët e vendit të ngjarjes. Në të kundërt, identifikimi nga ana e dëshmitarëve pas arrestimit, mund të hidhet poshtë nga avokati në sallën e gjyqit.

Nga ana tjetër qytetarët të nxitur edhe nga shpërblimi shprehen se publikimi i fotos apo një identikit i 22-vjeçarit do të ndihmonte policinë që ta kapte më shpejt. “Unë kam telefonuar dhe kam kërkuar që të publikohet fotoja e autorit, por më thanë që kjo gjë është e pamundur pasi do prishte hetimet. Mendoj se është më mirë të publikohet pasi kështu do zbulohet më shpejt”, shprehet një qytetar i Vlorës. Megjithëse zyrtarisht drejtuesit e Policisë së Vlorës, shprehen se është e pamundur të publikohet, ka edhe efektivë që mendojnë se me shpërblimin prej 10 mijë dollarësh, por edhe me dashamirësinë e qytetarëve nëse do të ishte publikuar fotoja kjo do të ndihmonte hetimin. Për kapjen e 22-vjeçarit Delin Hajdaraj është angazhuar e gjithë struktura policore në jugun e vendit.

Në vëzhgim mbahen sidomos pikat kufitare, në rast të një tentative nga ana e autorit për të kaluar në mënyrë ilegale. Blutë e Vlorës kanë arrestuar për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”, 18-vjeçarin Leo Osmëni. Por adoleshenti ka deklaruar në polici se ka qenë shoku i tij Delin Hajdaraj ai që ka qëlluar me kallashnikov, pas thirrjes së tij.

Aksident në Lushnje, vdes 27-vjecari, plagosen dy të tjerë

LUSHNJE- Aksident me pasojë vdekjen në Lushnje. Ngjarja e rëndë është shënuar mëngjesin e kësaj të shtune në afërsi të fshatit Konjat, të Lushnjes.

Sipas të dhënave të para të policisë, drejtuesi i mjetit tip Volvo me targa AA337FV ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga e më pas është përplasur me murin anësor. Për pasojë një person ka mbetur I vdekur dhe dy të tjerë është janë plagosur.

Policia sqaron se viktima është shtetasi Admir Bebej 27-vjec, ndërsa të plagosurit janë Lenci Saro 30 vjeç dhe Nerti Lila, 30 vjeç. Nuk dihet nëse viktima është edhe drejtuesi i mjetit.
Mësohet se dy të plagosurit janë shtruar në spitalin e Lushnjes ku po marrin ndihmën e nevojshme.
Policia ndërkaq po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit.

Reeker: Zgjedhjet në Shqipëri të suksesshme dhe me standarde, presim reforma nga qeveria e re

SHBA- Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker i cilëson të suksesshme zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Shqipëri. Deklarata e tij u bë gjatë një video konference nga Nju Jorku, kushtuar angazhimit amerikan në Ballkan, sic shkruan Zëri i Amerikës.
Reeker ndër të tjera ka përshëndetur sjelljen e aktorëve politikë, ndërsa tha se ky ishte shembulli i një procesi demokratik në rajon.
“Dua të theksoj se zgjedhjet e qershorit përbëjnë një arritjet të rëndësishme në evolucionin demokratik të Shqipërisë si dhe një provë të rëndësishme, ndërsa Shqipëria i afrohet statusit të kandidatit në BE. Kolegët e mi evropianë e kishin bërë të qartë se të gjithë do t’i ndiqnin nga afër këto zgjedhje. Mendoj se Shqipëria u bashkua me disa vende të tjera të rajonit, që gjatë vitit të fundit kanë zhvilluar zgjedhje të sukseshme në përputhje me standartet. Dua të theksoj gjithashtu se puna e vështirë për ndërtimin e demokracisë nuk përfundon me numërimin e votave dhe shpalljen e fituesve. Ne jemi të kënaqur që përpjekjet për formimin e qeverisë së re duket se po vazhdojnë normalisht. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin dhe të inkurajojnë qeverinë e re të veprojë në bazë të mandatit të fuqishëm, që ajo siguroi nga votuesit dhe të përqëndrohet në procesin e kandidatit në BE”.

Zoti Reeker u kujtoi të pranishmëve se ky proces u bllokua në Shqipëri për shkak të retorikave të forta dhe tani që zgjedhjet kanë përfunduar, tha ai, shpresojmë që përpjekjet të përqëndrohen përsëri në këtë drejtim dhe në një rast të tillë Shqipëria do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Qeveria e re, tha zoti Reeker, duhet të përqëndrohet në reforma të rëndësishme, të nevojshme për të arritur këtë objektiv si dhe në forcimin e shtetit juridik, në nxitjen e transparencës dhe të përgjegjësisë. Ai përsëriti qëndrimin amerikan mbi nevojën, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit, që qeveritë duhet të përqëndrohen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zoti Reeker përsëriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të aspiratave të vendeve ballkanike drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Të ndeshura edhe me vështirësi ekonomike, që kanë përfshirë gjithë botën, Shtetet e Bashkaura mbeten të angazhuara të ndihmojnë vendet e Ballkanit të zbatojnë reforma në ekonomi, sipërmarrje dhe në investime si dhe në shtetin juridik, tha ai. Shtetet e Bashkuara besojnë se integrimet Euro-Atlantike në Ballkan janë një element shumë i rëndësishëm për arritjen e një Evrope të bashkuar, të lirë, në paqe dhe gjithnjë e më të begatë. Ky objektiv, theksoi zoti Reeker, mbetet gurëthelem i politikës së jashtme amerikane në Evropë, përparësi kryesore për Shtetet e Bashkuara, për Departamentin e Shtetit dhe për administratën e presidentit Obama.

Burimi: ( balkanweb.com )

Vendimi, ARMO nën sekuestro shitja tek azerët e paligjshme?

TIRANE - Aksionet e Rezart Taçit në kompanitë e tij Taçi Oil dhe ARMO nuk mund të shiteshin. Ndaj tij, si debitor i keq, janë marrë tashmë një numër i konsiderueshëm vendimesh nga Gjykata e Tiranës për urdhëra ekzekutimi, me kërkesë të bankave ku ka marrë kredi, kompanive furnizuese si Albpetroli e kontraktorë të tjerë.
Gjykata i ka pranuar gati të gjitha ato dhe janë përmbaruesit privatë që janë ngarkuar të zbatojnë këto vendime.
Më 17 dhe 24 korrik të këtij viti, pra dy javë para se të kryhej shitja e aksioneve të Taçit, kompanitë përmbarimore ZIG dhe AB kanë depozituar në QKR njoftimin e sekuestros, që ndalon çdo veprim me aksionet, duke përfshirë ndalimin e shitjes së tyre.
Megjithatë, ministri Florjon Mima, më 31 korrik, ka dhënë dritën e gjelbër për shitjen e aksioneve, duke iu drejtuar direkt Rezart Taçit me një letër, në përgjigje të kërkesës së këtij të fundit, ku shprehej se ishte dakord që t’i shiste aksionet kompanisë nga Ishujt e Virgjër.
Po kështu, QKR ka të afishuar edhe në interne
t njoftimin për sekuestro, të cilët nuk janë revokuar nga përmbaruesit, por një gjë e tillë nuk ka penguar Qendrën e Regjistrimit të kryejë aktin e regjistrimit të kalimit të pronësisë dhe ndryshimet në organet drejtuese të ARMO-s.
Kjo është një shkelje e hapur e ligjit dhe flet për atë se gjithshka duhet të jetë bërë me urdhër nga lart.
Ndërkohë, dje zëvendësministri i Ekonomisë, Enno Bozdo, deklaroi dje se kompania blerëse është kontrolluar prej ministrisë dhe asaj i është marrë angazhimi se „do të njohë deri në një detyrimet e prapambetura të kompanisë, të krijuara gjatë kësaj kohe, që po krijohen apo do krijohen.
Mbi të gjitha, ruajtjen e punonjësve, pagesat e prapambetura, sigurimet shoqërore, pagat e tyre, çdo borxh ndaj palëve të treta. Absolutisht gjithçka”, deklaroi Bozdo.Ai tha se “Heaney Assets Coorporation” vjen nga Azerbajxhani.referuar kufizimit në ndërhyrjen e Ministrisë së Ekonomisë për shitjen e aksioneve, Bozdo tha se nga privatizimi nuk kanë kaluar pesë vjet, çka kërkon edhe vlerësimin e METE-s. Vlerësimi është bërë dhe ai ka qenë pozitiv, sipas tij, kështu që ministrit i mbetej vetëm të jepte OK për transaksionin dhe kalimin e aksioneve në duar të tjera.

 Burimi: (shqiptarja.com)