Κυριακή 11 Αυγούστου 2013

Çështja e pronësisë “ngrin” tregun

BB: Çështja e pronësisë “ngrin” tregun. Raporti i Bankës Botërore: Projekti LAMP, janë regjistruar 88.5 mijë pasuri nga 400 mijë në total.
Shitja e pasurive të paluajtshme, peng i problemeve të tokës.
Tregu i pasurive të paluajtshme është peng i problemeve të pronësisë, dhe pikërisht në këtë drejtim duhet të ecin edhe reformat e qeverisë. Në raportin e Bankës Botërore, ku përmblidhet aktiviteti i projekteve të saj në vendin tonë, deri në qershor të këtij viti pjesa e pronësisë është ajo ku vihet theksi. Për Bankën Botërore, një sistem sa më i saktë, ku e drejta e pronësisë është e garantuar, është siguri për më shumë investime vendase, por edhe të huaja. “Sigurimi i të drejtës së pronësisë së bahsku me një regjim transparent të menaxhimit, janë themelore në mirëfunksionimin e tregjeve të tokës dhe pasurive të paluajtshme. Këto sigurojnë edhe më shumë investime nga biznese lokale dhe ndërkombëtare, si dhe nxitin investimin e qytetarëve në pasuri të paluajtshme”, thuhet në raport.
PUSHTETI VENDOR
Një administrim sa më i mirë i pronësisë dhe krijimi i një database të saktë, sipas Bankës Botërore, krijon më shumë mundësi edhe për pushtetin vendor në krijimin e autonomisë së tij si efekt edhe i menaxhimit të taksës së tokës. “Të dhëna të sakta mbi tokën dhe të drejtat mbi të ndërtojnë, pa dyshim, kushtet për një decentralizim fiskal dhe autonomi të bashkive, që është rrjedhojë e të ardhurave nga taksa mbi pronën. Projekti LAPM synon që të bashkojë reformën në sistemin e pronësisë dhe forcimin e planifikimit urban së bashku me investimet e bashkive”, thuhet në raportin e Bankës. 
PROJEKTI
Projekti i administrimit dhe menaxhimit të tokës, LAMP, është duke vëzhguar dhe regjistruar 400 mijë prona në zonat urbane, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve që të kenë siguri mbi pronën e tyre. Sipas Bankës, katër qytete janë mbështetur me programe investimi në bashki për të rinovuar shërbimet themelore të infrastrukturës urbane. Deri më tani nën komponentin A të projektit, sipas raportit, është bërë i mundur regjistrimi i 85 500 titujve pronësie. Po kështu është bërë edhe dixhitalizimi i të dhënave të pronësisë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe masat kanë ulur kohën e regjistrimit nga 47 ditë në 10 ditë. Projekti është aprovuar në vitin 2007, u bë efektiv në korrik të po të njëjtit vit dhe u ristrukturua në janar 2011. Mbyllja e tij është planifikuar në qershor të vitit të ardhshëm. Kostoja e gjithë projektit është 41.2 milionë dollarë, nga të cilat pjesën më të madhe e ka dhënë IBRD, gati 20 milionë dollarë. Deri në mars 2013 janë disbursuar gjithsej 19.6 milionë dollarë dhe mbeten akoma të padisbursuara edhe 16 milionë dollarë.

Burimi: (panorama.com.al)

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου