Δευτέρα 12 Αυγούστου 2013

Ligji për TVSH-në, përjashtohet shëndetësia dhe arsimi

Miratohet TVSH-ja e diferencuar 10-20 %. Përjashtohen nga detyrimet shërbimet në spitale dhe pajisjet spitaloreLigji pret votat e maxhorancës së re.  Ndryshojnë 160 nene në ligjin për TVSH-në, merren në konsideratë propozimet e PS-së.
Qeveria në ikje miraton Tatimin mbli Vlerën e Shtuar në mënyrë të përshkallëzuar. Ky ishte një ndër propozimet e Partisë Socialiste, i  cili është marrë në konsideratë gjatë hartimit të ligjit të ri për TVSH-në ku janë hartuar 160 nene, në të cilat është përcaktuar jo vetëm mënyra e pagesës dhe rimburisimit të TVSH-së por edhe përshkallëzimi i saj. Në draftin e hartuar nga Ministria e Financave dhe të miratuar në qeveri mësohet se  shkalla  e reduktuar e TVSH-së, e cila aplikohet si një përqindje e vlerës së tatueshme, është 10 %, e cila do të aplikohet për furnizimet e barnave për trajtime mjekësore dhe veterinare. Shuma e TVSH-së, që rezulton nga aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së, lejon normalisht zbritjen e plotë të TVSH-së, për të cilën njihet e drejta e zbritjes.

Përjashtohen nga TVSH 

Janë furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja operacionet me interes të përgjithshëm, si furnizimi i shërbimit postar dhe i mallrave aksesore në furnizimin e këtij shërbimi, që janë në përputhje me shërbimin universal postar të kryer nga shërbimi publik postar në Shqipëri, përveç transportit të personave dhe telekomunikacioneve. gjithashtu janë përjashtuar nga detyrimi për Tatimin mbi Vlerën ë Shtuar furnizimi i shërbimeve shëndetësore dhe operacioneve të lidhura ngushtë me to, me karakter terapeutik si dhe të domosdoshme për arritjen e qëllimeve terapeutike të synuara nga hospitalizimi dhe kujdesi mjekësor ndaj shtetasve, të kryera nga institucionet shëndetësore publike ose private të njohura si të tilla nga autoriteti kompetent shëndetësor, ku përfshihen: furnizimi i shërbimeve të kujdesit spitalor; kujdesit shëndetësor parësor, shërbimi i urgjencës mjekësore, ekzaminimet mjekësore terapeutike të siguruara nga ana e institucioneve spitalore, qendrat e kujdesit shëndetësor dhe diagnostikimit; shërbimet e analizave mjekësore, kimike për diagnostikim, analizat mjekësore parandaluese në kuadër të kujdesit mjekësor.

TVSH-ja për Spitalet 

Në ligjin  ri të miratuar në qeveri, por që duhet të miratohet në parlamentin e ardhëshëm është parashikuar përjashtimi nga TVSH-ja për institucionet shëndetësore private do të zbatohet vetëm nëse ato i furnizojnë këto shërbime në kushte sociale të njëjta me ato që ekzistojnë për institucionet shëndetësore publike. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim kriteret dhe procedurat për kushtet sociale të njëjta për institucionet shëndetësore private. Gjithashtu janë përjashtuar furnizimet e shërbimeve shëndetësore të ofruara për qëllime të kujdesit për shëndetin, në kuadër të ushtrimit të profesionit mjekësor ose paramjekësor të njohur si të tillë, dhe të licencuara nga autoriteti kompetent shëndetësor i Republikës së Shqipërisë dhe furnizimi i organeve, gjakut dhe qumështit njerëzor.  Në listën e shërbimeve të përjashtuara nga TVSH-ja është edhe furnizimi i shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me ndihmën dhe asistencën sociale, përfshirë operacionet që kryejnë shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, të kryera nga institucione publike apo nga organizma  jofitimprurës me karakter social të njohur nga autoriteti kompetent në Shqipëri dhe me çmime të aprovuara nga ky autoritet ose kur këto çmime nuk janë të aprovuara ato nuk duhet të jenë mbi 70% të çmimeve të operacioneve të ngjashme të ofruara nga  subjekte tregtare të tatueshme me TVSH dhe furnizimi i shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura  me mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rinjve, të kryera nga institucione publike apo nga organizma jofitimprurës.

Mjetet mësimore 

Është përjashtuar nga TVSH-ja furnizimi i shërbimeve arsimore të mësimdhënies shkollore apo universitare nga institucionet arsimore, publike dhe private, në përputhje me legjislacionin e fushës në fuqi, përfshirë formimin e vazhdueshëm profesional, si dhe furnizimin e shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me to dhe furnizimi i shërbimeve të mësimdhënies shkollore apo universitare të kryera nga ana e mësuesve, në emër personal.  Janë përjashtuar nga ky detyrim edhe furnizimi i shërbimeve të kryera nga institucionet fetare apo filozofike si dhe furnizimi i shërbimit të vënies në dispozicion të personelit.
Rimbursimi i TVSH-së
1. Një person i tatueshëm kërkon rimbursim të tepricës së kreditimit tatimor kur: personi i tatueshëm ka mbartur një shumë të kreditimit tatimor për 3 muaj radhazi dhe rimbursimi i kërkuar tejkalon shumën prej 400 000 lekë.
2. Për rastet kur në marrëveshjet financiare të ratifikuara nga Kuvendi ose në marrëveshjet e granteve të miratuara nga Këshilli i Ministrave parashikohet mospërdorimi i burimeve financiare të huaja për të paguar taksa e tatime, tatimi mbi vlerën e shtuar i paguar u rimbursohet financuesve të huaj nga administrata tatimore brenda 45 ditëve.
3. Eksportuesit kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim kur teprica e tyre tejkalon shumën 400 000 lekë. Organet tatimore bëjnë rimbursimin e tepricës kreditore të TVSH-së për këtë kategori tatimpaguesish, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
4. Administrata tatimore, para se të bëjë një rimbursim të kreditimit tatimor për një person të tatueshëm, ka të drejtë ta detyrojë atë person të paraqesë një garanci për pagesën e ardhshme të TVSH-së prej tij.
5.  Tatimi mbi vlerën e shtuar për importimin e materialeve ushtarake për Forcat e Armatosura, të dhuruara nga vendet anëtare të Aleancës së NATO-s apo partnerët, paguhet si kosto  lokale nga Ministria e Mbrojtjes.
6. Trajtohen si furnizime me shkallë 0% të TVSH-së furnizimi i shërbimeve  nga ndërmjetësit që veprojnë në emër dhe për llogari të të tretëve
7.  Trajtohet si furnizim me shkallën e TVSH-së 0% furnizimi i arit, i destinuar për Bankën e Shqipërisë. Për të siguruar trajtimin me shkallën tatimore 0% të TVSH-së, ministri i Financave ia përcakton me udhëzim procedurën specifike ose të rimbursimit të TVSH-së Bankës se Shqipërisë.

Burimi: (shekulli.com.al)

Κυριακή 11 Αυγούστου 2013

CEZ nis ndërprerjen, borxhi i institucioneve 65 milionë dollarë

CEZ nis ndërprerjen, borxhi i institucioneve 65 milionë dollarë- CEZ Shpërndarje ka nisur ndërprerjen e energjisë elektrike për institucionet buxhetore dhe jobuxhetore debitore ndaj kompanisë, pas paralajmërimit të bërë një javë më parë. Së bashku me këtë proces ka ardhur e zbardhur edhe lista e borxhlinjve të kompanisë së shpërndarjes, ku rekord mban Albpetroli. Në total detyrimi i kompanisë së prodhimit dhe nxjerrjes së naftës në vend arrin plot 652 milionë lekë. Më pas vijnë Ujësjellësi i Durrësit dhe ai i Vlorës, me respektivisht 468 milionë lekë dhe 395 milionë lekë debi dhe princiapal së bashku. Për ujësjellësit kompania ka bërë ndërprerjen e energjisë vetëm në zyrat administrative, dhe jo për pjesën që lidhet me furnizimin me ujë të qytetarëve. Në total, gjithë borxhi i institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore arrin 65 milionë dollarë.
Në një njoftim për shtyp, kompania e shpërndarjes bën me dije se institucioneve që iu është ndërprerë energjia nuk do të kenë furnizim deri në momentin që nuk shlyejnë detyrimin.
“CEZ Shpërndarje shpreh vendosmërinë për të mos furnizuar me energji elektrike asnjë nga institucionet debitore derisa ata të paguajnë detyrimet e tyre. CEZ Shpërndarje garanton qytetarët se kjo kompani do të trajtojë me të njëjtin standard abonentët privatë dhe shtetërorë, duke furnizuar me energji ata që paguajnë energjinë dhe duke prerë çdo lidhje për ata që nuk paguajnë energjinë”, thuhet në njoftimin e CEZ-it. Nga detajimi i borxhit dhe institucioneve rezulton që shuma prej 65 milionë dollarësh është e akumuluar që nga vitit 2007.

Burimi: (panorama.com.al)

Çështja e pronësisë “ngrin” tregun

BB: Çështja e pronësisë “ngrin” tregun. Raporti i Bankës Botërore: Projekti LAMP, janë regjistruar 88.5 mijë pasuri nga 400 mijë në total.
Shitja e pasurive të paluajtshme, peng i problemeve të tokës.
Tregu i pasurive të paluajtshme është peng i problemeve të pronësisë, dhe pikërisht në këtë drejtim duhet të ecin edhe reformat e qeverisë. Në raportin e Bankës Botërore, ku përmblidhet aktiviteti i projekteve të saj në vendin tonë, deri në qershor të këtij viti pjesa e pronësisë është ajo ku vihet theksi. Për Bankën Botërore, një sistem sa më i saktë, ku e drejta e pronësisë është e garantuar, është siguri për më shumë investime vendase, por edhe të huaja. “Sigurimi i të drejtës së pronësisë së bahsku me një regjim transparent të menaxhimit, janë themelore në mirëfunksionimin e tregjeve të tokës dhe pasurive të paluajtshme. Këto sigurojnë edhe më shumë investime nga biznese lokale dhe ndërkombëtare, si dhe nxitin investimin e qytetarëve në pasuri të paluajtshme”, thuhet në raport.
PUSHTETI VENDOR
Një administrim sa më i mirë i pronësisë dhe krijimi i një database të saktë, sipas Bankës Botërore, krijon më shumë mundësi edhe për pushtetin vendor në krijimin e autonomisë së tij si efekt edhe i menaxhimit të taksës së tokës. “Të dhëna të sakta mbi tokën dhe të drejtat mbi të ndërtojnë, pa dyshim, kushtet për një decentralizim fiskal dhe autonomi të bashkive, që është rrjedhojë e të ardhurave nga taksa mbi pronën. Projekti LAPM synon që të bashkojë reformën në sistemin e pronësisë dhe forcimin e planifikimit urban së bashku me investimet e bashkive”, thuhet në raportin e Bankës. 
PROJEKTI
Projekti i administrimit dhe menaxhimit të tokës, LAMP, është duke vëzhguar dhe regjistruar 400 mijë prona në zonat urbane, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve që të kenë siguri mbi pronën e tyre. Sipas Bankës, katër qytete janë mbështetur me programe investimi në bashki për të rinovuar shërbimet themelore të infrastrukturës urbane. Deri më tani nën komponentin A të projektit, sipas raportit, është bërë i mundur regjistrimi i 85 500 titujve pronësie. Po kështu është bërë edhe dixhitalizimi i të dhënave të pronësisë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe masat kanë ulur kohën e regjistrimit nga 47 ditë në 10 ditë. Projekti është aprovuar në vitin 2007, u bë efektiv në korrik të po të njëjtit vit dhe u ristrukturua në janar 2011. Mbyllja e tij është planifikuar në qershor të vitit të ardhshëm. Kostoja e gjithë projektit është 41.2 milionë dollarë, nga të cilat pjesën më të madhe e ka dhënë IBRD, gati 20 milionë dollarë. Deri në mars 2013 janë disbursuar gjithsej 19.6 milionë dollarë dhe mbeten akoma të padisbursuara edhe 16 milionë dollarë.

Burimi: (panorama.com.al)

“Gati fillimi i tregut të përbashkët”

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, nuk ka hequr dorë nga ideja për krijimin e një tregu të përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Në një intervistë për “Epoka e Re”, ai ka thënë se shumë shpejtë këtë ide do ta prezantojë edhe para kabinetit qeveritar, në mënyrë që të fillojë implementimi i këtij projekti.
Pacolli ka thënë se për t’u realizuar kjo ide, e ka marrë edhe mbështetjen e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe të kryeministrit në ardhje të Shqipërisë, Edi Rama.
“Dy qeveritë, kjo e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, duhet të bashkëpunojnë mes vete. Jemi një komb i vogël për të pasur ndarje”, ka thënë Pacolli.

Kosovë, të shtëna në Mitrovicë

Të shtëna me armë automatike, që kanë zgjatur për disa minuta, janë dëgjuar mbrëmë menjëherë pas mesnate afër cepit verior të urës kryesore mbi Ibër, bëjnë të ditur burime të “Kosovapress”-it. 

Sipas të njëjtave burime, rreth orës 1:10 pas mesnate është dëgjuar sërish një shpërthim i fuqishëm në veri të Mitrovicës, por që nuk dihen autorët dhe as lokacioni i saktë i këtij shpërthimi.

“Njësia e karabinierëve ka njoftuar se mjeti shpërthyes është hedhur në lumin Ibër dhe nuk ka të lënduar në njerëz”, kanë thënë burime të “Kosovapress”-it.

Ndërkaq, mësohet se pjesëtarë të policisë së Kosovës të stacionit veri kanë patrulluar të gjitha rrugët që lidhen me urën kryesore, por nuk kanë gjetur asgjë.

Burimi: (top-channel.tv)

Çështja e telekomit

Serbia ende nuk ka dhënë përgjigje nëse do ta pranojë ose jo draft marrëveshjen e ofruar nga BE-ja për telekomin, ndonëse afati i fundit për të dhënë përgjigje ka kaluar qysh të premten. 

Qeveria e Kosovës ende mbetet në pritje të konfirmimit zyrtar nga ana e BE-së, si ndërmjetësuese e dialogut, nëse do ta pranojë Serbia marrëveshjen apo do ta refuzojë. Por, çfarë ofron draft-marrëveshja e ofruar nga ndërmjetësuesi, Bashkimi Europian?
Dren Zeka, këshilltar i zëvendëskryeministres Edita Tahiri, që drejton palën kosovare në këto bisedime, ka thënë për “Top-Channel” nëpërmjet përgjigjeve të shkruara se “sipas draft marrëveshjes Kosova pritet të marrë kodin unik shtetëror ndërkombëtar telefonik dhe njëkohësisht pritet edhe normalizim i gjendjes në fushën e telekomunikacionit dhe se kjo marrëveshje është e favorshme për Kosovën”.

Përveç kësaj, Zeka ka bërë të ditur se “parashihet një zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë, por jo siç është raportuar në media se gjoja operatori i Serbisë do të ofrojë shërbime për lokalitetet e banuara me serbë”. I pyetur se çfarë konkretisht parashihet si zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë, Zeka ka dhënë përgjigjen se bëhet fjalë për “zgjidhje për një operator të limituar në hapësirë dhe në kohë të përkohshme për komunitetin serb në Kosovë, por që do të jetë i themeluar, i regjistruar dhe i licencuar në Republikën e Kosovës dhe do të operojë sipas ligjeve dhe kornizës rregullative të Kosovës”.

Sipas marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, Kosova pritet të marrë kodin ndërkombëtar telefonik +383, për të cilin në vjeshtë do të aplikojë një shtet anëtar i BE-së, Suedia ose Austria.

Kosova, në mungesë të kodit të vet, vazhdon të shfrytëzojë 3 kode të huaja telefonike, të Serbisë, Monakos dhe Sllovenisë.

Tentativë vetëvrasjeje në aeroport


Aeroporti i Prishtinës, “Adem Jashari”, mbeti i bllokuar për 30 minuta mëngjesin e së premtes. Shkak për këtë bllokim u bë një tentativë për vetevrasje.Sipas njoftimeve të policisë, në vendin e dorëzimit të bagazhit, në orën 09:05, një qytetar i vuri thikën vetes në fyt, duke kërcënuar me vetëvrasje.

Pas negociatave me policinë dhe përdorimit të forcës u bë e mundur çarmatosja dhe arrestimi i personit në fjalë, njoftojnë burimet policore.

Por pak minuta pas arrestimit, të njëjtin veprim bëri edhe vëllai i tij, i cili, sipas zyrtarit për informim në Policinë e Kosovës, ishte edhe më agresiv.

Të dy vëllezërit, të lindur në vitet 1977 dhe 1975, pas vizitës mjekësore nga ekipi i mjekëve të aeroportit u dërguan në stacionin policor të Lipjanit

Prej andej u njoftua dhe prokurori i qarkut, i cili do të kryej një hetim. Ende nuk dihet shkaku i tentativës së tyre për vetëvrasje.